Lumir Abdixhiku do të vazhdojë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kuvendi i partisë, i mbledhur ditën e sotme, ka votuar kundër dorëheqjes së tij si kryetar pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit.
Sipas mediave, 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut. Në një deklaratë për mediat, Abdixhiku e cilësoi qëndrimin e tij në krye të partisë si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam edhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces përpara”, tha ai.
Pas dështimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, ku LDK siguroi vetëm 15 vende në Kuvend, Abdixhiku njoftoi se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe se më pas kuvendarët do të vendosnin nëse do ta pranojnë apo jo.
Abdixhiku është kryetar i LDK-së që nga 14 marsi i vitit 2021. Më 19 nëntor 2023, ai u rizgjodh si kryetar i partisë. Abdixhiku është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.

