Rusia goditi sërish Ukrainën me anë të një sulmi me dron. Në këtë sulm u vranë tre persona dhe u plagosën tre të tjerë. Sipas mediave të huaja viktimat janë dy gra të moshës 26 dhe 50 vjeç dhe një burrë 62-vjeçar. Shërbimet ukrainase të urgjencës thanë se një ndërtesë u shkatërrua dhe disa të tjera u dëmtuan. Ata postuan në Telegram foto të zjarrfikësve që përpiqeshin të shuanin një zjarr si dhe imazhe të një ndërtese të rrafshuar.
Në total, në 24 orët e fundit, Rusia nisi 841 sulme kundër 34 komuniteteve në rajon, tha guvernatori Ivan Fedorov. Forcat ruse po pushtojnë pjesë të mëdha të territorit në Zaporizhzhia dhe kohët e fundit kanë bërë përsëri përfitime territoriale atje. Ajo është një nga katër rajonet ukrainase, që Rusia pretendon se ka aneksuar që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 105 dronë gjatë natës, nga të cilët 84 u rrëzuan. Dronët e Moskës goditën gjithashtu qytetin e Odesës, në jug të vendit, duke shkaktuar një zjarr të madh në një objekt industrial, tha guvernatori Oleh Kiper në Telegram.
Kiper tha se magazinat, ndërtesat e prodhimit dhe kamionët u shkatërruan në sulm, duke shtuar se nuk u shkaktua asnjë lëndim. Ndërsa zyrtarët rusë nuk komentuan sulmet. Moska dhe Kievi mohojnë të kenë shënjestruar civilët në luftën e tyre gati katërvjeçare.
