Festat e fundvitit/ Kthimi i emigrantëve, fluks i lartë në Kakavijë

Kthimi i emigrantëve shqiptarë për festat e fundvitit, ka sjellë fluks të lartë pasagjerësh si në Portin e Vlorës, ashtu edhe në pikat kufitare tokësore me Greqinë.

Në Portin e Vlorës, këtë të diel ka mbërritur trageti “European Star” nga Brindisi i Italisë, me 692 pasagjerë dhe 45 anëtarë ekuipazhi në bord.

Bashkë me pasagjerët janë transportuar edhe 147 automjete, si dhe mjete të tjera transporti. Autoritetet portuale bëjnë me dije se procedurat janë zhvilluar normalisht dhe pa probleme.

Ndërkohë, fluks i shtuar është regjistruar edhe në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët nga Greqia po kthehen drejt Shqipërisë për të festuar pranë familjarëve.

Gjatë fundjavës janë shënuar rritje të ndjeshme të hyrjeve, si të automjeteve ashtu edhe të këmbësorëve, duke shkaktuar radhë të gjata në anën greke të kufirit.


Shtuar 21.12.2025 09:57