Shtyhet pa datë mbledhja e Këshillit, deputetët marrin “USB” me 10 mijë faqe “prova” për Belinda Ballukun

Mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin është shtyrë pa afat dhe nuk dihet se kur do të vendoset se çfarë do të ndodhë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. SPAK ka kërkuar që vendimi të merrej pas 5 ditësh, kurse mbrojtja e Ballukut të paktën pas 5 javësh.

Ndërkohë, siç deklaroi kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi, deputetët anëtarë të Këshillit kanë marrë një “USB” me 10 mijë faqe “prova” për zëvendëskryeministren, të cilën pasi ta shohin, do të mblidhen për ta diskutuar.

“Kemi kërkuar sipas rregullores së Kuvendit që mbledhja e sotme të ishte transparente për qytetarët. Sigurisht duke lënë të mundshëm opsionin sa herë prokuroria do informonte anëtarët e këshillit të Rregullores, ne të ndërprisnim mbledhjen dhe të largonim median nga mbledhje.

Sot u zbulua skenari pse e kishte kyçur USB, u bë për t’i dhënë alibi Ballukut për shtyrjen e mbledhjes se nuk ka lexuar të plotë materialin.

Për fat të keq u zbulua skenari që Edi Rama nuk e ka vendosur ende çfarë do bëjë me Ballukun dhe po i jep kohë vetes për tu njohur me materialet. U bënë aq qesharak sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas 1 muaji, pra më datë 20 janar. Çdo vonesë mund të rrezikojë provat ose intimidimin e dëshmitarëve”, është shprehur Gazment Baardhi.

Mbledhja e nisur në orën 10:30 të paradites së sotme, ka përfunduar vetëm pak më parë, ku deputetët dhe përfaqësuesit e SPAK kanë diskutuar mbi mënyrën e qasjes së anëtarëve të Këshillit në informacionin e klasifikuar si sekret dhe datën për takimin e radhës.

SPAK kërkon heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e Belinda Ballukut.


Shtuar 19.12.2025 16:40