Mesditën e sotme, kryeministri i vendit Edi Rama, ka zhvilluar një videomesazh në rrjetin social “Facebook”, ku ka folur edhe për ankimin në Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut.
“Është një betejë institucionale gjyqësore për të mos lënë atë që nga Komisioni i Venecias konsiderohet shkelje e palejueshme mes kufirit ndarës të pushteteve. Nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun dhe për balancën mes pushteteve të pavarura në Shqipëri. Duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, do të kishim diçka që është e panjohur. Mjafton të parafyturosh cfarë dëmesh do kishte nëse do lejohej kjo…”, tha ai.
Gjithashtu, kryeministri Rama tha se kjo çeshtje nuk ka të bëjë me presion dhe se sipas tij, nuk i ka bërë aspak presion drejtësisë.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flas për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ një ministër që në këtë rast është edhe zv.kryeministër, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidenti nga një prokuror e gjykatës. Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamenti për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, u shpreh Rama.
