Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në zyrën e saj ish-policin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, i cili u mbajt në paraburgim për disa muaj në Serbi nën akuzën e pretenduar për “vrasje të rëndë” në Banjskë.
“Dje prita në takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili është liruar nga paraburgimi në Serbi pas disa muajsh mbajtjeje peng. Arbnorit i urova gjithë të mirat pranë familjes së tij dhe një rikthim sa më të lehtë në normalitet”, shkroi Osmani.
Nisur nga arrestimet në rritje të shqiptarëve të Kosovës të cilët kalojnë në kufirin me Serbinë, presidentja ka lëshuar një thirrje për të gjithë qytetarët që të shmangin kalimin nëpër Serbi.
“Qytetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës dhe që mund të udhëtojnë drejt vendit sidomos gjatë festave të fundvitit, u bëj thirrje të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi atje vazhdojnë të jenë në pushtet struktura që nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb.”
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu është liruar nga paraburgimi në Serbi dhe u kthye në shtëpinë në Kosovë të premten para mesnatës, më datë 21 Nëntor, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i angazhuar nga familja e tij Arianit Koci.
Spahiu u mbajt në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, nga 9 qershori kur gjykata në këtë qytet urdhëroi paraburgosjen e tij me pretendimin për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
