Meta fiton përballë FTC: Blerjet e Instagram dhe WhatsApp, të ligjshme

Meta ka fituar një nga sfidat më të rëndësishme ligjore ndaj saj, pasi një gjykatës federal vendosi se blerjet e Instagram dhe WhatsApp nuk përbëjnë shkelje të ligjit amerikan të konkurrencës. Vendimi u dha të martën nga gjykatësi James Boasberg, i cili rrëzoi argumentet e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) se Meta mban një monopol në rrjetet sociale.

Sipas gjykatës, FTC nuk arriti të provonte se Meta sot zotëron fuqinë e një monopoli, edhe nëse këtë mund ta ketë pasur në të kaluarën. “Agjencia duhet të tregojë një shkelje aktuale ose të pashmangshme,” shkroi Boasberg, duke theksuar se tregu i platformave sociale ka ndryshuar ndjeshëm që nga nisja e çështjes në vitin 2020.

Zuckerberg, në dëshminë e tij në prill, kundërshtoi pretendimet se blerja e Instagram-it synonte eliminimin e konkurrencës. Ai pranoi ekzistencën e emaileve të vjetra ku flitej për “blerje të rivalëve”, por tha se ato nuk pasqyronin plotësisht arsyet e marrëveshjes.

Gjykata vuri në dukje se sot Meta përballet me rivalë të fortë, veçanërisht TikTok, i cili nuk përmendej fare në dokumentet fillestare të padisë. “Asnjë njeri nuk shkel dy herë në të njëjtin lumë,” citoi Boasberg filozofin Heraklitin, duke theksuar se dinamika e rrjeteve sociale ka ndryshuar rrënjësisht.

Meta e përshëndeti vendimin, duke thënë se ai njeh konkurrencën e ashpër në treg. Aksionet e kompanisë mbetën të qëndrueshme, duke treguar se investitorët e kishin parashikuar rezultatin.


Shtuar 19.11.2025 16:17