Zogaj: Konjufca po sillet si Kurti – s’do të ketë qeveri por zgjedhje të reja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se grupi parlamentar i LDK-së nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Zogaj theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e mandatari të dytë për formimin e Qeverisë.

“Nuk kemi informacion që është kontaktuar dikush prej anëtarëve të grupit tonë për formimin e Qeverisë. Po shohim qasje të njëjtë me mandatarin e parë , ai nuk ka pasur interes me i kriju institucionet, njëjtë po sillet edhe mandatari i dytë”, tha ai.

Sipas tij, procesi politik po zvarritet pa arsye dhe do të përfundojë me një “shou politik”.

“Do të shkojmë deri në ditën e fundit, do të ketë shou politik, s’do të ketë vota dhe pastaj do ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, u shpreh Zogaj.

Deputeti i LDK-së tha se afatet zgjedhore janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë dhe se zgjedhjet pritet të mbahen në fund të dhjetorit.
“Afatet zgjedhore janë afate kushtetuese. Ato e përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve që me gjasë del të jetë fundi i dhjetorit”, tha ai.

Megjithatë, Zogaj theksoi se data e 28 dhjetorit nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.

“Data e 28 dhjetorit s’është datë e mirë për zgjedhje, sepse janë festat e fundvitit. E kemi të vështirë me i organizua zgjedhjet. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e kërkojnë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.

Zogaj theksoi se LDK është e kënaqur me rezultatin zgjedhor të arritur në zgjedhjet lokale.

“Ne jemi të lumtur me rezultatin zgjedhor, na qet parti fituese në shumë aspekte. Kemi fituar Prishtinën”, tha ai.

Në fund, Zogaj shtoi se zgjidhja e vetme për ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi janë zgjedhjet.

“Zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik që na ka futur LVV janë zgjedhjet, dhe ajo sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi Zogaj.


Shtuar 13.11.2025 15:49