Kishte përfituar 40 milionë euro duke mashtruar klientet se do gjenin burrë të pasur, arrestohet fallxhorja (VIDEO)

Një grua 53-vjeçare, e cila hiqej si fallxhore dhe mashtronte viktimat e saj duke arritur që të përfitojë rreth 40 milionë euro, është arrestuar nga autoritetet australiane.

53-vjeçarja u arrestua të mërkurën në periferi të Sidneit, Dover Heights, së bashku me vajzën e saj 25-vjeçare, e cila u paraqit si mësuese e feng-shui.

Ajo dyshohet se i bindi viktimat e saj, kryesisht gra vietnameze të cenueshme të merrnin kredi, duke mbajtur një pjesë për vete dhe duke u thënë atyre se parashikonte një “miliarder” në të ardhmen e tyre.

Mbi 53-vjeçaren rëndojnë 39 akuza, duke përfshirë drejtimin e një organizate kriminale dhe marrjen e përfitimeve financiare me anë të mashtrimit.

Ndaj vajzës së saj rëndojnë shtatë akuza, duke përfshirë administrimin e të ardhurave nga krimi dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

 

Gjatë arrestimit në rezidencën multi-milion dollarëshe, policia sekuestroi dokumente, telefona celularë, çanta luksoze, një shufër ari 40 gramëshe me vlerë 10,000 dollarë australianë dhe 6,600 dollarë australianë në çipa kazinoje.

Autoritetet thanë se 53-vjeçarja u paraqit si një anëtare e shquar e komunitetit të saj dhe si një “fallxhore”, u jepte këshilla klientëve, disa prej të cilëve i thanë se po përballeshin me vështirësi financiare.

 

Sipas një hetimi nga Sydney Morning Herald, nëna dhe vajza janë të lidhura me të ashtuquajturën “Penthouse Syndicate”, një organizatë kriminale që mashtroi bankat kryesore australiane me 250 milionë dollarë australianë, me ndihmën e punonjësve të bankave që miratuan kredi për të ndihmuar në blerjen e pronave të shumta në Sydney.


Shtuar 13.11.2025 11:38