“Kam gjëra më të rëndësishme se të vij te trajnimi yt”/ Ema Andrea refuzon ftesën e Ermal Mamaqit

Në puntatën e radhës së emisionit “Goca dhe Gra”, një moment mori vëmendjen e të pranishmëve, kur gjatë bisedës në studio u prek tema e trajnimeve motivuese që organizon Ermal Mamaqi.

Teksa po shpjegonte formatin e seminarit që do të zhvillojë këtë fundjavë, Mamaqi u shpreh se ky trajnim synon t’u tregojë pjesëmarrësve mënyra për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe marrëdhënien e tyre me veten, duke shtuar se në të marrin pjesë personazhe të njohur publikë.

“Të shtunë dhe të diel kam një trajnim. Vijnë shumë personazhe VIP. Do më dëgjosh dy ditë dhe unë do të tregoj se çfarë mund të bësh më mirë me jetën tënde,” tha ai, duke ia drejtuar ftesën edhe aktores së mirënjohur Ema Andrea, e cila ndodhej në panel.

Por Ema zgjodhi t’i përgjigjej hapur dhe pa e zbutur tonin:

“Me thënë të drejtën, tani e kuptova pse je në këtë situatë, ku je i bindur se çdo gjë që thua do t’u shërbejë të gjithëve. Çfarë bëj në jetë e kam zgjedhur vetë, dhe jam e suksesshme me këtë që kam zgjedhur. Kam gjëra më të rëndësishme për të bërë.”

Deklarata e saj krijoi një moment reflektimi në studio, duke nxitur panelin të ndërhyjë për ta zhvendosur bisedën në argumentet mbi mënyrat e ndryshme të qasjes ndaj zhvillimit personal.


Shtuar 12.11.2025 11:53