EMRI/ Një trup u gjet i karbonizuar brenda një mjeti në Greqi, ky është shqiptari që dyshohet se mund të jetë viktima!

Është zbuluar identiteti i shqiptarit për të cilin policia po pret analizat e ADN-së, nëse është i njëjti person me atë të gjetur të ekzekutuar me plumb e më pas të djegur në sediljen e pasme të makinës në Skourta të Viotias.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Sulo Astrit Halili nga Becishti, Tepelenë, i cili rezulton i zhdukur prej pasdites së 4 nëntorit.

Ai mësohet se kishte ikur nga banesa e tij në Halkida dhe prej atëherë nuk ka dhënë shenja jete, ndërkohë që mjeti i tij është gjetur i braktisur në Vilia të Athinës.

Halili ka flokë të shkurtër ngjyrë kafe të errët, sy kafe, është 1.70 m i gjatë dhe është i dobët. Ai ka mjekër dhe një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe shkronja. Ditën që u zhduk, ai mbante veshur një këmishë të zezë, xhinse të zeza Cargo dhe atlete të bardha.

Autopsia e trupit të gjetur të djegur të premten, ka zbuluar se viktima ishte qëlluar një herë me armë zjarri dhe më pas ishte djegur. Ai u gjet me pranga në sediljen e pasme të një mjeti te vjedhur në Glifadha dhe me targa të një mjeti të ngjashëm në Katerini.

Policia dyshon se viktima mund të jetë përfshirë në veprimtari kriminale ose është gjetur në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Priten analizat e ADN për të vërtetuar identitetin e tij.


Shtuar 10.11.2025 20:55