Policia në Shkup ka ndaluar dy shtetas turq, ndërsa vijon kërkimi për një person të tretë, i dyshuar se ka marrë pjesë në tentativën për vrasjen e dy bashkëkombësve të tyre në një apartament në lagjen Karposh.
Të lidhura
None found
Ministria e Brendshme bëri të ditur se ndaj K.M., 36 vjeç, dhe S.B.P., 22 vjeç, të dy shtetas turq, është paraqitur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar. Ata dyshohen se veprën penale e kanë kryer në bashkëpunim me një person tjetër.
Referuar të dhënave të policisë, të dyshuarit kanë goditur fizikisht dy persona 26-vjeçarë nga Turqia, duke i plagosur me një objekt të mprehtë. Gjatë ngjarjes, në apartament ndodheshin edhe dy gra.
Pas incidentit, autorët e dyshuar u larguan nga apartamenti. Megjithatë, falë masave të ndërmarra nga efektivët e Shërbimit të Brendshëm të Policisë Shkup, K.M. dhe S.B.P. u lokalizuan dhe u ndaluan në rrugën Jadranska Magistrala në Shkup.
Ndërkohë, autoritetet kanë vijuar veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit të tretë, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në sulm.







