Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale i kushtojnë Kosovës rreth 18 milionë euro, KQZ-ja paralajmëron se s’ka buxhet për të parakohshmet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, thotë se nuk ka buxhet për organizimin edhe të një palë zgjedhjeve të reja, nëse deri më 19 nëntor dështon për herë të dytë formimi i qeverisë.

Afro 18 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit organizimi i zgjedhjeve nacionale në fillimvit dhe ato lokale më 12 tetor, përkatësisht më 9 nëntor. Nëse brenda këtij viti vendit i imponohen edhe një palë zgjedhje, atëherë Komisioni Qendror Zgjedhor do të përballet me një tjetër sfidë, meqë zyrtarët e saj kanë thënë se nuk kanë në dispozicion mjete financiare.

Nëse edhe i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, dështon që deri më 19 nëntor të formojë Qeverinë, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen më së largu në pjesën e dytë të dhjetorit.

“KQZ-ja nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për mbajtjen e një procesi të ri zgjedhor eventual gjatë këtij viti, prandaj nëse do të ketë zgjedhje KQZ-ja do të përgatisë një plan buxhetor të cilin si zakonisht, siç ka vepruar edhe herëve të kaluara, e përcjell për miratim në Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Në KQZ nuk kanë treguar se sa do të mund të kushtojë mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve të parakohshme.

“KQZ-ja nuk ka planifikuar ndonjë shumë konkrete, sepse kjo do të bëhet nëse do të kemi një shpallje zyrtare të datës së zgjedhjeve”, ka theksuar Elezi.

KOHA ka kërkuar informacione nga Qeveria në detyrë nëse ka mjete në buxhet për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme dhe nëse ka hapësirë ligjore dhe buxhetore për rialokim të mjeteve të nevojshme për to, por nuk ka marrë përgjigje gjatë të hënës.

Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa sipas raporteve të KQZ-së, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë euro.

E për zgjedhjet lokale që u zhvilluan në rundin e parë në 38 komuna, e në të dytin në 18 sosh, ishte planifikuar buxhet prej 10.5 milionë eurosh. Por se sa u shpenzuan, sipas KQZ-së, do të dihet pas përmbylljes së tërë procesit. Sipas këtij institucioni, në bazë të përvojës nga proceset e kaluara zgjedhore, kostoja përfundimtare është më e ulët sesa ajo e planifikuar./koha.net


Shtuar 10.11.2025 19:52

Tags: ,