SHBA-të anuluan takimin e planifikuar të Presidentit Donald Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, pasi Moska i dërgoi një memo Uashingtonit ku shpaloste kërkesat e saj të ashpra, për një armëpushim me Ukrainën, raportoi të premten Financial Times.
Trump dhe Putin, kishin rënë dakord më parë këtë muaj të takoheshin në Budapest të Hungarisë, për të diskutuar përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë. Por Trump e kishte anuluar papritur samitin vetëm disa ditë më vonë.
Raporti i FT tregoi se Ministria e Jashtme e Rusisë i kishte dërguar një memo Uashingtonit, ku i mbante kërkesat e saj të ashpra për një armëpushim, të cilat përfshijnë lëshime territoriale, demilitarizim në Ukrainë dhe garanci se nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s.
SHBA-të më pas anuluan samitin pas një telefonate midis ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, raportoi FT, duke cituar tre persona të njohur me çështjen.
Rubio thuhet gjithashtu, se i tha Trump se Moska nuk kishte treguar gatishmëri për të negociuar.
Përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar një armëpushim Rusi-Ukrainë, kanë fituar pak mbështetje këtë vit, pavarësisht pretendimeve të mëparshme të Trump se ai do t’i japë fund luftës brenda pak ditësh.
Presidenti amerikan pati gjithashtu një takim të tensionuar me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fillim të këtij muaji, por dërgesat ushtarake amerikane në vend u panë të vazhdonin.
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						