Mustafi dënon deklaratat e Vuçiqit për Shaip Kamberin dhe shqiptarët

Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të shprehura në televizionin Informer, lidhur me deputetin shqiptar Shaip Kamberi dhe bashkimin politik të shqiptarëve.

Sipas Mustafit, Vuçiqi e interpreton organizimin politik të shqiptarëve si një nismë të “armiqve të Serbisë”, ndërsa Shaip Kamberin e përshkruan si “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.

Të lidhura

None found

Mustafi ka publikuar edhe reagimin e tij të plotë:

“Gjuha e Aleksandër Vuçiqit ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve në TV Informer dëshmon qartë qëndrimin e tij.

Siç e përmbledh Bujanovačke, ai e paraqet bashkimin politik të shqiptarëve si një veprim të ‘armiqve të Serbisë’, ndërsa Shaip Kamberin e cilëson ‘më të keqin dhe më të ligun ndër ta’.

Vuçiq pretendon se ky bashkim synon ta çojë çështjen e Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë. Në të njëjtën linjë, ai sulmon edhe kongresmenin amerikan Joe Wilson, duke e quajtur ‘të paguar’ të shqiptarëve. Takimet dhe bashkëpunimin me përfaqësues amerikanë, evropianë e diplomatë i paraqet si veprime kundër Serbisë, për ta mbyllur më pas me deklaratën: ‘Nuk do t’ua lejoj.’

Një gjuhë e tillë nxit urrejtje dhe krijon klimë frikësimi. Përpjekjet për përfaqësim demokratik dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave tona trajtohen prej tij si kërcënim. Megjithatë, çështjen e Luginës së Preshevës do ta ngremë në Uashington, Bruksel dhe në çdo vend ku mbrohen të drejtat e njeriut.

Ne do të kërkojmë mbështetje për barazi, përfaqësim dhe përmbushjen e zotimeve të shtetit ndaj shqiptarëve. Bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe evropianë është pjesë e këtij angazhimi demokratik.

Zoti Vuçiq, shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen, të përfaqësohen dhe të denoncojnë padrejtësitë që përjetojnë. Për ta bërë këtë, nuk kanë nevojë për lejen tuaj.

Unë qëndroj në krah të Shaip Kamberit dhe ‘Koalicionit Shqiptar’, si dhe të së drejtës sonë për përfaqësim të lirë, publik dhe dinjitoz. Barazia nuk është armiqësi.”