Reagim i ashpër i Ragmi Mustafit ndaj retorikës së Vuçiqit për Shaip Kamberin dhe shqiptarët

Ragmi Mustafi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), ka reaguar ashpër pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bëra në televizionin Informer, ku u përplas verbalisht me deputetin shqiptar Shaip Kamberi dhe me përpjekjet për bashkim politik të shqiptarëve.

Sipas Mustafit, Vuçiq e paraqet bashkimin politik të shqiptarëve si veprimtari të “armiqve të Serbisë”, ndërsa Kamberin e përshkruan si “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.

Të lidhura

None found

Në postimin e tij të plotë, Mustafi shkruan:

Dëgjojeni gjuhën e Aleksandër Vuçiqit në TV Informer ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve.

Ai e trajton bashkimin politik të shqiptarëve si vepër të “armiqve të Serbisë”, siç e formulon Bujanovačke, dhe e cilëson Shaip Kamberin si “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.

Sipas tij, ky bashkim ka për qëllim ngritjen e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë. Në këtë kuadër, ai sulmon edhe kongresmenin amerikan Joe Wilson, duke e quajtur “të paguar” nga shqiptarët. Çdo bashkëpunim me përfaqësues amerikanë, evropianë dhe diplomatë e trajton si veprim kundër Serbisë. Dhe e mbyll me fjalët: “Nuk do t’ua lejoj.”

Kjo retorikë nxit urrejtje dhe krijon klimë frikësimi. Përfaqësimi demokratik dhe lobimi ndërkombëtar për të drejtat tona tentohen të paraqiten si kërcënim. Po, çështjen e Luginës së Preshevës do ta çojmë në Uashington, në Bruksel dhe kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut. Do të kërkojmë mbështetje për barazi, përfaqësim dhe respektim të zotimeve shtetërore ndaj shqiptarëve. Bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe evropianë është pjesë e këtij angazhimi demokratik.

Z. Vuçiq, shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen, të kenë përfaqësim dhe të flasin për padrejtësitë që përjetojnë. Për këtë nuk kanë nevojë për lejen tënde.

Jam krah Shaip Kamberit dhe “Koalicionit Shqiptar”, si dhe të drejtës sonë për përfaqësim publik të lirë dhe dinjitoz. Barazia nuk është armiqësi.