Kandidatja e PS për kryetare Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me të rinjtë e njësisë 9 të kryeqytetit, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së tyre aktive në vendimmarrjet dhe politikat e Bashkisë së Tiranës.
Ajo i ftoi ata të japin kontributin e tyre dhe të jenë pjesë e programeve dhe nismave të reja të bashkisë, duke nisur me një pjesëmarrje aktive në diskutimet e platformave të dialogut me të rinjtë.
“Nëse do të bëjmë një gjë dhe do ta bëjmë në mënyrë konsistente është diskutimi në platformat e dialogut me të rinj për çdo vendimmarrje të bashkisë sepse të rinjtë, jo vetëm që duhet të jenë pjesë e politikave që bashkia ndërmerr, programeve, por të rinjtë duhet të kontribuojnë aktivisht në këto programe. Duhet të kontribuojnë aktivisht në punët e bashkisë, në punët e qytetit”, u shpreh Manastirliu, teksa vlerësoi se energjia e të rinjve është e jashtëzakonshme për t’i kthyer idetë në realitet.

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, u shpreh se Tirana e vitit 2030 do të jetë “një qytet i të rinjve dhe për të rinjtë”,
“Janë shumë të rinj sot që na bashkohen sepse shohin qëllimin e përbashkët, për të mirën e përbashkët dhe ajo që na bashkon të gjithëve sot këtu, është edhe një tjetër emërues. Është ajo që ne duam të bëjmë për fëmijët dhe për të rinjtë, sepse Tirana e 2030-ës është Tirana e së ardhmes që u përket ju, të rinjve”, tha Manastirliu ndërsa nënvizoi se Bashkia e Tiranës do të jetë me “derë të hapur” për çdo profesionist të ri që dëshiron të kontribuojë për qytetin, përmes programeve të praktikave të punës dhe angazhimeve vullnetare.

