“Dorëzohet” Millorad Dodik, heq dorë nga posti i presidentit të Republikës Sprska. SHBA përshëndet vendimin

Presidenti i Republikës Sprska Milorad Dodik, i sanksionuar non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe ka pranuar të tërhiqet nga posti i tij. SHBA ka përshëndetur vendimin dhe si hap i parë hoqi sanksionet ndaj disa bashkëpunëtorëve te tij.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se kishte hequr katër aleatë të Dodikut nga lista e sanksioneve, një veprim që u vlerësua nga Dodik, i cili është duke lobuar për të hequr sanksionet amerikane kundër vetes.

“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin veprimin e sotëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe që afirmon stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ky veprim do të shënojë gjithashtu një rrugë për partneritet konstruktiv me SHBA-në, bazuar në interesa të përbashkëta, potencial ekonomik dhe begati të përbashkët”, tha Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, në një deklaratë për Reuters.

Tërheqja e Dodik po analizohet si nje hap që mund të çojë në heqjen e sanksioneve ndaj tij. Parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjës emëroi Ana Trišić Babić si presidente të përkohshme të shtunën, duke e njohur zyrtarisht për herë të parë se ish-presidenti Milorad Dodik po tërhiqet nga posti pas një ndalese nga gjykata shtetërore që i ndalon pjesëmarrjen në politikë.

Trišić Babić, një aleate e ngushtë e Dodikut, do të mbajë detyrën për një muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale më 23 nëntor në Republikën Serbe.

Parlamenti gjithashtu shfuqizoi një sërë ligjesh separatiste që ishin miratuar gjatë vitit të kaluar, pasi Dodik ishte paditur për shkelje të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Dodik është sanksionuar nga SHBA dhe Britania, për pengim të zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë në vitet 1990, si dhe nga disa shtete evropiane që e akuzojnë për rrezikim të paqes dhe stabilitetit në Bosnjë me politikat e tij separatiste.


Shtuar 21.10.2025 11:59