Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e mbajtur sot në pritjen zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillit të Sigurimit e konsideroi ngjarjen një moment historik për vendin tonë.
Xhaçka theksoi se Shqipëria shihet sot si një vend serioz që ka çfarë ti tregojë botës. Ajo falënderoi kryeministrin Rama, që sipas ministres besoi te kjo mundësi edhe kur nuk dukej si realiste.
“Është një moment historik për Shqipërinë sot. Sot në vitin 2021 kemi fituar të drejtën të ulemi në forumin më të lartë të vendimarrjes globale. Në vigjilje të seancës së Asambles së përgjithshme ishim ulur me laps e me letër, por as në versionet me optimiste nuk e kishim menduar se Shqipëria do të merrte një mbështetje kaq masive. Kjo mbështetje ishte edhe për më skeptikët një provë e qartë e atij transformimi të jashtëzakonshëm që ka pësuar imazhi i Shqipërisë në sytë e botës. Ne shihemi sot si vend që ka pjekurinë dhe kapacitetet e duhura.
Ajo votë në Asamblenë e Përgjithshme ishte një moment krenarie, por besoj që ishte po aq edhe moment reflektimi. Ja ku është një rast ku kemi punuar të gjithë duke bërë secili punën e vet, duke ia kaluar stafetën pasardhësit dhe kemi marrë një rezultat kaq të jashtëzakonshëm. Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një fitore për të gjithë shqiptarët. Ne shkojmë në Këshillin e Sigurimit me një axhendë të qartë prioritetesh. Shqipëria sot ka çfarë ti tregojë botës, dhe bota ka sot çfarë të mësojë nga Shqipëria. Mund të mësojë nga modeli jonë i vëllazërisë fetare. Mund të mësojë nga eksperienca jonë mbi rëndësinë që kanë të drejtat e njeriut.
Mandati i Shqipërisë u takon të gjithë shqiptarëve. Një skuadër do të përfaqësojë Shqipërinë në KS, na duhet të dërgojmë në Nju-Jork më të mirët. Në ditët në vijim do zhvillojmë intervistat. “Ekipi i ëndrrave” do të marrë formën e tij finale. Kryeministrit Edi Rama duhet ti njoh një meritë të padiskutueshme. Edi Rama besoi te kjo mundësi edhe kur një gjë e tillë nuk dukej realiste. Për të transformuar rolin e Shqipërisë në botë, si një vend që eksporton stablitet dhe siguri”, tha Xhaçka.