Ditën e djeshme, Albion Marku, u vendos për herë të parë në dispozicionin e trajnerit Silvinjo. Mbrojtësi i Partizanit shërbeu për seancën e radhës stërvitore të Kombëtares te “Shtëpia e Futbollit”.
Për të nuk ka aktualisht ftesë në ndeshjet e tetorit.
Në marsin e këtij viti, Silvinjo nuk e njihte Albion Markun. 24-vjeçarin luante asokohe në kampionatin hungarez ku kontribuonte me Giorin.
Kombëtarja kishte probleme në linjën e djathtë të mbrojtjes, megjithatë Marku nuk njihej nga stafi aktual edhe pse numëron paraqitje me kuqezinjtë në miqësore.
“Kush është lojtari? Ku luan? Është një lojtar qendre… I djathtë? Është qendër i djathë apo anësor i djathtë? Duhet të respektojmë tranzicionin e lojtarëve. Pas Hysaj dhe Balliut kemi Hadrojin. Hadroj ka bërë një transferim në Ukrainë, kemi besim te ai.
Momentalisht na mungon një lojtar në anën tjetër, vjen Aliji, lojtar te i cili kemi besim, ka bërë dy europianë, mëngjarash, i mësuar të luajë. Por mungesa e Marios na vë në vështirësi, sepse në të majtë nuk kemi një tjetër që luan me të majtën. Duke marrë në konsideratë punën që kemi bërë, ai që vjen pas Hysaj dhe Balliut është Hadroj”, u shpreh Silvinjo në muajin mars.