Kryeministri i dorëhequr Sebastien Lecornu thotë se mund të kemi një kryeministër të ri brenda 48 orësh, duke shmangur shpërbërjen e Asamblesë dhe zgjedhjet e parakohëshme.
Ai tha se Presidenti francez Emmanuel Macron ka aftësinë e zgjidhjes, duke përjashtuar mundësinë e shpërbërjes së Asamblesë Kombëtare dhe zgjedhjeve të parakohshme, pasi shumica ka rënë dakord për buxhetin e ri dhe është gati të shmangë kaosin politik.
Duke folur në buletinin kryesor të lajmeve të France 2, Kryeministri francez në largim iu referua situatës politike që mbizotëron në Francë, duke theksuar se “kemi një Parlament të fragmentuar me mundësi kompromisi. Shumica e Parlamentit refuzon shpërbërjen. Shpërbërja do të çonte në një bllokim të ri politik”.
Ai theksoi se forca të ndryshme politike, kryesisht nga e majta, duken të gatshme të bien dakord për një kornizë të përbashkët buxhetore, e cila – siç tha ai – largon skenarin e një shpërbërjeje të re të Asamblesë Kombëtare.
“I thashë presidentit se ai ka mundësinë të emërojë një kryeministër brenda 48 orëve të ardhshme. Misioni im ka përfunduar”, tha Lecornu.
“I takon presidentit të zhvillojë konsultimet përfundimtare, varësisht nga ekuilibri politik. Janë 210 deputetë që duan një platformë stabiliteti dhe bien dakord në terma të përgjithshëm për buxhetin. Që tani e tutje, vendimi i përket ekskluzivisht kreut të shtetit”, tha Lecornu.
Kryeministri i dorëhequr shtoi se të gjitha partitë duhet të bëjnë një përpjekje për të arritur konvergjencë politike.
“Të gjithë duhet të bëjnë një hap. A jemi në gjendje të ecim përpara së bashku deri në fund të dhjetorit? Jam optimist”, tha ai, duke siguruar se do të mbetej përkohësisht në pozicionin e tij për të trajtuar çështjet aktuale.