Kombëtarja shqiptare do të përballet me Serbinë më 11 tetor, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës që do të zhvillohet në Leskovac, Serbi. Megjithatë, një nga gazetarët më të njohur sportivë shqiptarë, Arlind Sadiku, nuk do të jetë i pranishëm në stadium për të raportuar rreth këtij takimi të rëndësishëm. Arsyeja është befasuese: ndaj tij ekziston një urdhër-arrest në Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sadiku gjatë një interviste televizive në Kosovë, ku ka treguar se ka bërë të gjitha përpjekjet për të verifikuar situatën përmes institucioneve dhe kontakteve lokale në Luginën e Preshevës.
“Jam interesuar përmes institucioneve serbe, përmes shqiptarëve që kemi në Luginën e Preshevës, megjithatë ka një urdhër-arrest ndaj meje, kështu që nuk do të më lejohet të udhëtoj,”- tha gazetari.
Sadiku, i njohur për komentet e tij në ndeshjet e kombëtares dhe analizat sportive në Kosovë e Shqipëri, ka qenë i pranishëm në shumë përballje të rëndësishme të kuqezinjve ndër vite, por kësaj here do ta ndjekë ndeshjen nga distanca.
Ndërkohë, për arsye sigurie, ndeshja Serbi–Shqipëri është zhvendosur nga stadiumi i Beogradit në atë të Leskovacit, pasi autoritetet serbe kanë vlerësuar se ky qytet ofron kushte më të kontrolluara për organizimin e sfidës me rrezik të lartë sigurie.
Përballja mes dy vendeve pritet të zhvillohet nën masa të forta sigurie dhe me interes të madh nga publiku shqiptar dhe ndërkombëtar, duke qenë se rivaliteti sportiv mes dy kombëtareve ka një histori të ngarkuar politike dhe emocionale.