Rusia sulmon me dron trenin me pasagjerë në Ukrainë, të paktën 30 të plagosur, raportohet edhe për viktima

Të paktën 30 persona u plagosën pas një sulmi me dron rus në një stacion hekurudhor në qytetin Shostka në rajonin Sumy, njoftoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur sulmin “barbar”. Sipas postimit të presidentit ukrainas në Platformën X, “një sulm barbar me dron rus goditi stacionin hekurudhor në Shostka, rajoni Sumy”. Zelensky tha se të gjitha shërbimet e emergjencës kanë mbërritur tashmë në vendngjarje dhe po u ofrojnë ndihmë të plagosurve.

“Të gjitha informacionet në lidhje me të plagosurit po konfirmohen. Deri më tani dimë se ka të paktën 30 viktima. Sipas raporteve fillestare, midis të plagosurve janë punëtorë hekurudhorë dhe pasagjerë që ishin në stacion në kohën e sulmit”, vuri në dukje presidenti ukrainas.

Guvernatori rajonal i Sumy-t, Oleg Khrygorov, tha se një tren që shkonte për në Kiev u godit nga sulmi, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth gjendjes së tij apo numrit të saktë të pasagjerëve.

Moska ka intensifikuar fushatën e saj ajrore kundër infrastrukturës hekurudhore të Ukrainës gjatë dy muajve të fundit, duke goditur stacione dhe linja pothuajse çdo ditë. Sulmet ruse kanë synuar gjithashtu infrastrukturën energjetike të Ukrainës, me bombardime masive të objekteve të prodhimit të gazit natyror në fillim të kësaj jave.


Shtuar 4.10.2025 16:35

Tags: , ,