Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në një intervistë për emisionin ‘Top Story’ ka sqaruar dhe vendimin e tij për të dekretuar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që Erion Veliaj, ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij si dhe dekretimin e zgjedhjeve.
Begaj është shprehur se për marrjen e këtij vendimi, është konsultuar me ekipin e tij dhe se është e garantuar që ai nuk ka shkelur asnjë bazë ligjore. Presidenti thotë se nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë vendim dhe se çdo palë tjetër është i lirë t’i drejtohet instancave të drejtësisë për pretendimet e veta.
“Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë në gjykimin midis dekretit të Presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar më VKM nga KM pas propozimit të bërë nga këshillit bashkiak, i cili e votat e pozitës dhe opozitës gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Shkak ligjor që është trajtuar gjerësisht në media.
Po kështu Qeveria nga ana e saj në vendimin e shpallur merr në analizë si shkak, jo shkakun politik të lidhur e nenin 115 të Kushtetutës e cila thotë “për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve”, por thotë që shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë. Pra kemi të bëjmë me nenin 62 pika c.
Patjetër që kjo dileme është konsultuar me ekipin tim dhe janë marr në analizë çdo pretendim në media apo i palëve të caktuar A, i cili pas një diskutimi tepër aktiv më siguruan që duke respektuar parimet kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën kushtetuese për nxjerrjen e dekretit për zgjedhje të parakohshme. Patjetër me nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme nuk i është mohuar e drejta palëve për të çuar në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm por Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe një vendim i tillë mesa di unë akoma nuk është marrë”, tha Begaj.