Zelensky i ashpër me Putin: Nëse shkaktoni ndërprerje të energjisë në Kiev, do ta vuani në Moskë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nëse Rusia do të shkaktojë ndërprerje të energjisë në Kiev, do të marrë të njëjtën përgjigje në Moskë.

“Nëse Rusia i vë vetes qëllimin të shkaktojë një ndërprerje të energjisë në Ukrainë çdo dimër, atëherë nuk jam i sigurt nëse përgjigja e Ukrainës dhe partnerëve të saj duhet të jetë e ndryshme.

Nëse ata kërcënojnë me errësirën në kryeqytetin ukrainas, atëherë Kremlini duhet ta dijë se do të ketë një ndërprerje edhe në kryeqytetin rus.”-tha Zelensky, duke vënë në dukje se e diskutoi çështjen me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, gjatë një takimi në Nju Jork.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia mbetet e hapur për negociata për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

“Siç e ka përsëritur vazhdimisht Presidenti Vladimir Putin, Rusia ka qenë dhe mbetet e hapur për negociata për të eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit.”-tha Lavrov. Ai shtoi se Moska është e gatshme të diskutojë garancitë e sigurisë për Ukrainën.


Shtuar 27.09.2025 20:41