Deputetja e PL-së, Erisa Xhixho ka reaguar për skandalin e radhës në lidhje me specat e eksportuar nga Shqipëria në drejtim të Sllovenisë, të cilat janë bllokuar nga autoritetet sllovene, pasi kishin përmbajtje të lartë pesticidesh.
Postimi i plotë:
Siguria ushqimore në Shqipëri është zero. Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, janë prova më e qartë se shqiptarët nuk e dinë çfarë u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.
Shqipëria europiane që Rama u premtoi shqiptarëve jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët.
Specat e bllokuar në Slloveni janë vetëm një tregues i papërgjegjshmërisë institucionale që kërcënon shëndetin e qytetarëve sa herë ulen në tryezë.
AKU mund të dalë prapë me deklarata për të “qetësuar” konsumatorin shqiptar, duke i thënë se “i kanë ngrënë të tjerët, mos u shqetësoni”, por e vërteta e hidhur është se raste të tilla tregojnë dështimin e tij si institucion.
* Kroacia ka refuzuar eksportin e specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve
* Mandarinat e kontaminuara që nuk u lejuan të hyjnë në BE, përfunduan në tregun vendas
* Luleshtrydhet u gjetën me pesticide të ndaluara
* Mishi i derrit dhe i pulës rezultoi i kontaminuar me salmonelë
* Akulloret rezultuan me oksid etileni kancerogjen
* Kroacia bllokoi pjeshkët shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit