Shqipëria merr për herë të parë drejtimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, duke u bërë vendi i parë kandidat për Bashkimin Europian që mban këtë rol.
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës e konsideroi këtë “një hap historik që reflekton rritjen e rolit tonë në bashkëpunimin ndërajonal evropian”.
Në dhjetor 2025 Tirana do të presë mbledhjen e radhës të Komitetit me përfaqësues nga 36 vende europiane, një mundësi unike për të promovuar partneritetet tona dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira ndërmjet rajoneve.
Kryesimi i Shqipërisë konsiderohet më shumë se një përgjegjësi, një mundësi për të çuar më përpara vizionin europian të vendit.
“Është një tregues i rolit në rritje të vendit tonë në vendimmarrjen evropiane dhe një mundësi për të nxjerrë në pah kontributin e Shqipërisë në projekte konkrete me ndikim rajonal. Ne jemi të përkushtuar ta shfrytëzojmë këtë mandat, jo vetëm për të avancuar rrugën tonë drejt BE-së, por edhe për të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë, për bashkitë dhe për komunitetet”, deklaroi Eridana Cano, drejtoreshë e përgjithshme e SASPAC.