Kompania italiane që menaxhon mbetjet urbane të Tiranës, AGSM AIM, rrit fitimet në Shqipëri

Syri TV raporton se ka siguruar dokumentin financiar të bilancit të kompanisë për vitin 2024

Në vitin 2024, kompania italiane AGSM AIM ka regjistruar një rritje të ndjeshme të aktivitetit të saj në Shqipëri, duke dyfishuar volumin e mbetjeve të trajtuara në Tiranë dhe duke shënuar fitime në rritje në tregun shqiptar.

Sipas dokumentacionit, brenda këtij suksesi financiar dhe industrial, një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë zgjerimi agresiv në kryeqytetin shqiptar, përmes kompanisë Eco Tirana, një ndërmarrje publike italo-shqiptare ku AGSM AIM zotëron 49% të aksioneve, ndërsa 51% i përkasin Bashkisë së Tiranës.

Në vitin 2024, Eco Tirana ka mbledhur mbi 220 mijë tonë mbeturina, duke shënuar një rritje mbresëlënëse prej +139% krahasuar me vitin e kaluar, dhe duke shërbyer një popullsi afër 900 mijë banorësh.

Kompania italiane e ka cilësuar këtë shtrirje si një sukses strategjik ndërkombëtar, që i jep AGSM AIM një profil të ri në tregjet jashtë Italisë.

Në mars 2024, Bashkia e Tiranës zgjeroi kontratën për shërbimin e pastrimit të qytetit me Eco Tirana si partner kyç, që përmes një marrëveshjeje, shtriu aktivitetin e pastrimit në disa zona të qytetit.

Eco Tirana është themeluar më 2016 si një shoqëri e përbashkët publike, mes dy qyteteve – Veronës dhe Tiranës. Për vite, sipërmarrja nuk prodhoi përfitime domethënëse për qytetarët italianë që, përmes taksave, mbështesin AGSM AIM, dhe as hyrje domethënëse për komunitetin veronez.

Pas një periudhe paqartësish financiare, ku AGSM Holding Albania (ish-aksionere e ndërmjetme) rezultoi me humbje dhe Eco Tirana kishte vetëm fitime modeste, në prill 2024 AGSM AIM mori zyrtarisht nën kontroll 49% të Eco Tirana, duke likuiduar plotësisht kompaninë ndërmjetëse dhe mbyllur kapitullin “Holding Albania”.

Në fund të vitit 2023, Këshilli Bashkiak i Veronës miratoi një ristrukturim të shoqërive të lidhura, dhe në prill 2024, AGSM AIM bleu zyrtarisht 49% të Eco Tirana nga AGSM Holding Albania, duke e likuiduar përfundimisht këtë të fundit. Kjo shënoi mbylljen e kapitullit “Holding Albania” dhe rifokusimin e aktivitetit vetëm përmes Eco Tirana, tashmë e kontrolluar nga AGSM AIM në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Dokumente financiare të mëhershme tregojnë se ndërmarrje të tjera të lidhura, si Eco Recycling, kanë pasur humbje të konsiderueshme, duke forcuar shqetësimet për qëndrueshmërinë e këtij modeli.

Ndërsa AGSM AIM përfiton nga një zgjerim operacional në një treg në zhvillim si Shqipëria, pyetja mbetet: A është kjo një strategji afatgjatë me ndikim real për të dy palët, apo një shembull tjetër i investimeve publike jashtë kontrollit dhe transparencës?/Syri


Shtuar 2.09.2025 13:59