Mbi 26 mln euro pasuri me burim të paligjshëm/ Policia i sekuestron Kristian Konit 20 llogari bankare, 19 prona të paluajtshme dhe…

Në kuadër të operacionit të koduar “Fortesa”, Policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 26.5 milionë euro, në pronësi të një 45-vjeçarit Kristian Koni, alias O. M., 45-vjeç, i dënuar nga drejtësia italiane, për vrasje me paramendim dhe për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Në kuadër të procedimit penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ekzekutuan vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Kristian Koni, alias O. M., 45-vjeç.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 19 prona të paluajtshme, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të tij ose të familjarëve.

Hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.