Greqia nën zjarrin e diellit, rikthehet vala e të nxehtit ekstrem, deri në 43°C javën që vjen

Pasi ka përjetuar një nga qershorët më përvëlues të dekadës së fundit, Greqia pritet të përfshihet sërish nga një valë e re të nxehti, me temperaturat që do të ngjiten deri në 43°C në disa zona të vendit.

Meteorologët grekë paralajmërojnë se vala e re do të godasë fundjavën dhe do të arrijë kulmin mes 7 dhe 10 korrikut. Sipas tyre, ky episod i motit ekstrem pritet të jetë veçanërisht i rrezikshëm për zonat urbane dhe rajonet kontinentale, ku edhe gjatë natës termometri nuk do të zbresë ndjeshëm.

Edhe pse pjesa tjetër e Evropës do të marrë një frymëmarrje të shkurtër nga temperaturat e larta, Greqia do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore shumë të nxehta që vijnë nga Afrika e Veriut.

Për të përballuar situatën, autoritetet kanë vendosur të pezullojnë punën në ambiente të hapura për profesionet që përballen direkt me diellin, si ndërtuesit dhe shpërndarësit, nga ora 12:00 deri në 17:00. Gjithashtu, në shumë qytete janë hapur qendra me ajër të kondicionuar për qytetarët që nuk kanë mundësi freskimi në shtëpi.

Ndërkohë, zjarret vijojnë të përbëjnë një rrezik real. Gjatë ditëve të fundit, dhjetëra ekipe zjarrfikësish janë angazhuar në përballjen me flakët në Kios, rrethinat e Athinës dhe zonat pranë Selanikut. Vitet e fundit, këto valë të nxehti dhe zjarret janë bërë më të shpeshta, një pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike që po transformojnë verën mesdhetare.


Shtuar 2.07.2025 15:16