Gazetari Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se rasti i Erion Veliajt nuk është thjesht një çështje gjyqësore, por përfshin edhe një ekuilibër të ndjeshëm sociopolitik. Haxhiu tha se, ndryshe nga rastet e tjera të figurave të larta politike si Ilir Meta dhe Sali Berisha, gjykata ka qenë e pazakontë në lirimin e Veliajt, duke treguar një paaftësi të gjykatës për të mbajtur argumente bindëse. Haxhiu thekson se ky rast reflekton tensionet e vazhdueshme midis politikës dhe drejtësisë në vend.
“Nuk është gjithmonë se prokurorët dhe gjyqtarët kanë frikë nga njeriu politik. Edhe pse shumë herë vendimet për ta marrin ngjyrë politike, qoftë me vota, qoftë përmes institucioneve të ndryshme, të cilat nuk dua t’i përmend tani, po çfarë ka ndodhur realisht dhe pse është Erion Veliaj në këtë situatë? Faza e parë është sulmi, arroganca politike që synon të stigmatizojë procesin. Njeriu politik shpesh kërkon të jetë i pafajshëm në diskursin e tij kur përballet me gjyqin.
Nuk kam bërë shumë analiza, por përveç aspektit gjyqësor, rasti i Erion Veliajt ka edhe një ekuilibër sociopolitik. Nëse shohim dy raste të tjera, si ai i Ilir Metës, ish-presidentit të vendit, dhe i Sali Berishës, të cilët kanë një pozicion të lartë sociopolitik, ata janë përballur me një gjykatë të pamëshirshme, sidomos Ilir Meta. Për të krijuar një ekuilibër besueshmërie, kjo gjykatë ka vendosur që askush nuk e priste që do të lironte sot Erion Veliajn.
Kur hyjmë te çështjet e drejtësisë dhe lirive të njeriut, çdo person duhet të mbrohet në proces gjyqësor. Nëse dy njerëz të opozitës, që nuk kanë pushtet apo ndikim në institucione, mbeten në burg dhe nuk u respektohen të drejtat dhe liritë, duke i mbajtur në arrest shtëpiak, atëherë kjo është një problem serioz. Dhe aq më pak pritet që kjo të ndodhë me Erion Veliajn. Prandaj, unë nuk kam dyshuar aspak.
Ne nuk mund të flasim për lirimin e Erion Veliajt tani, por mund të diskutojmë përse po ndodh ky proces, përse jemi në këtë situatë sot në mëngjes kur kemi biseduar. E kam ditur që kur u përgatita për këtë debat, fundi do të ishte i tillë, fundi logjik, dhe tani kjo po ndodh.
Ndodh që ndonjëherë nuk ka asnjë mundësi tjetër, sikur të mos kishte proces fare. Në rastin e Ilir Metës dhe Sali Berishës, do të kishim më shumë qetësi, sepse nuk do të kishte hatërmbetje dhe një person do të mbetej i lirë për hir të të drejtave dhe lirive të njeriut, edhe nëse është në arrest. Nuk prisja një vendim të tillë për Erion Veliajn. Në rastin e tij, është çështje zgjedhjesh në Tiranë. Realisht, pyetja tjetër që lind është çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Tiranë.”- tha analisti Baton Haxhiu.