Qeveria ka miratuar nismat e para të paketës ligjore kundër dhunës, të prezantuar pas protestave të dhunshme. Masat përfshijnë gjoba më të larta për shkeljet gjatë tubimeve, kufizime të përkohshme në hapësira të caktuara, regjistrim audiovizual të paralajmërimeve të policisë dhe një regjistër elektronik të posaçëm për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale të dhunshme gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike.
Ndryshimet në ligjin për tubimet parashikojnë gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë për pjesëmarrjen në një tubim të ndaluar. E njëjta masë zbatohet edhe për fshehjen e identitetit. Moszbatimi i urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë ose nga 20 000 deri në 200 000 lekë, në varësi të rrethanave.
Të lidhura
None found
Nëse personi të cilit i është dhënë urdhri për t’u larguar ka fshehur identitetin, gjoba mund të jetë nga 50 000 deri në 500 000 lekë. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë tubimit, kur pengohet qarkullimi dhe veprimi nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me 5 000 lekë për çdo ditë bllokimi dhe për secilin pjesëmarrës.
Policia mund të vendosë kufizime të përkohshme në zona të caktuara
Drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar pranë institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore. Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë.
Kjo masë lejohet kur, bazuar në fakte konkrete, ekziston rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ndaj personave ose dëmtim të rëndë të pronës. Vendimi duhet të shpjegojë arsyet e kufizimit, të përcaktojë zonën dhe kohëzgjatjen, si dhe të bëhet publik para zbatimit. Ai mund të zgjatet vetëm një herë, përmes një vendimi të ri të arsyetuar.
Personat e interesuar kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në gjykatën administrative, e cila duhet të shprehet brenda 48 orëve. Paraqitja e ankimit nuk e ndalon zbatimin e masës, përveçse kur gjykata vendos ndryshe.
Kufizimi nuk mund të shtrihet në të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore. Ai gjithashtu nuk zbatohet për të miturit që shoqërohen nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur kalojnë në zonën e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, banesa, institucionet shëndetësore e të përkujdesjes sociale, si dhe veprimtaritë edukative, kulturore e sportive.
Paketë ligjore përcakton edhe zonat e mbrojtura. Në to përfshihen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat përreth institucioneve arsimore e shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe zona të tjera të caktuara nga këshilli bashkiak, ku janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
Në këto hapësira, punonjësi i Policisë së Shtetit mund t’i kërkojë një personi të largohet për një periudhë deri në 48 orë, nëse sjellja e tij konkrete përbën kanosje, ngacmim të përsëritur, dhunë ndaj personave, dëmtim prone ose pengim me dhunë të hyrjes dhe përdorimit të zonës.
Urdhri për largim duhet të jetë me shkrim dhe të përmbajë faktet e arsyet që e mbështesin, si edhe zonën dhe kohëzgjatjen e masës. Ai nuk mund të zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor ku personi merr trajtim apo zyrën e avokatit. Po ashtu, masa nuk mund të vendoset për shkak të pjesëmarrjes në tubim paqësor, karakteristikave personale, statusit social, kombësisë, pamjes apo vetëm mbi bazën e precedentëve penalë.
Rregulla të reja për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale
Ndryshimet ligjore përfshijnë procedura për rastet kur, gjatë organizimit ose zhvillimit të një tubimi, në rrjete sociale, përmes postës elektronike apo komunikimeve telefonike shpërndahen mesazhe që bëjnë thirrje për dhunë.
Pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike ose numrin e telefonit prej nga është dërguar komunikimi, Policia e Shtetit i dërgon personit njoftim në të njëjtin kanal. Në të kërkohet heqja e përmbajtjes dhe mosripërsëritja e veprimeve, ndërsa personi informohet se sjellja përbën shkelje të legjislacionit në fuqi.
Policia do t’i ofrojë personit mundësinë për mbështetje psikologjike ose trajtime të tjera të specializuara, nëse vlerësohet se i nevojiten. Nëse përmbajtja nuk hiqet ose veprimet përsëriten, do të merren masat përkatëse sipas ligjit në fuqi.
Një tjetër ndryshim i kërkon Policisë së Shtetit të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit, si dhe rastet e dhunës ndaj personave apo dëmtimit të pronës gjatë tij. Regjistrimet do të ruhen e përpunohen sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike, si dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Regjistër elektronik për personat e referuar ose nën hetim
Masat e miratuara përfshijnë krijimin dhe funksionimin e një regjistri elektronik të posaçëm për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur bëhet fjalë për veprime të dhunshme ndaj jetës, shëndetit të personave ose pronës publike e private gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike.
Regjistri do të drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në të do të vendosen të dhënat për personat e identifikuar në materialet që policia i ka referuar prokurorisë, kur janë dokumentuar veprime konkrete të dhunshme.
Të dhënat e përfshira do të jenë ato identifikuese dhe procedurale, burimi i informacionit, data e regjistrimit, historiku i përditësimeve, numri i referimit, data e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar. Informacioni do të sigurohet edhe përmes lidhjes me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemet përkatëse elektronike të Policisë së Shtetit.
Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ketë qasje të kufizuar në regjistër, vetëm për kontrollet kufitare dhe zbatimin e kufizimeve të përcaktuara me ligj. Nëse verifikimi individual evidenton të dhëna konkrete për përfshirje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve ose grumbullimeve publike, policia kufitare mund të refuzojë administrativisht daljen nga shteti, edhe kur ndaj personit nuk është vendosur masë sigurie që i ndalon largimin.
Nëse personit i lejohet të largohet, autoritetet kufitare do të njoftojnë autoritetet e shtetit ku ai udhëton. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të informojë gjithashtu personat fizikë dhe juridikë privatë që administrojnë struktura akomoduese për individët, për të cilët ka të dhëna konkrete lidhur me pjesëmarrjen në veprime të dhunshme dhe materialet përkatëse janë dërguar në prokurori.
Brenda 30 ditëve nga regjistrimi do të rishikohet nëse është e nevojshme të ruhen të dhënat e personit të referuar. Nëse prokuroria kompetente bën të ditur se nuk do të nisë procedim penal ose se çështja është pushuar, të dhënat do të hiqen nga regjistri.
Përpunimi dhe shkëmbimi i informacionit duhet të bëhet në pajtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, aksesin e kufizuar, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.







