Revolucion total tek Manchester United, klubi njofton për largimin e nëntë lojtarëve

Manchester United ka njoftuar se në fund të këtij muaji do të largohen nëntë lojtarë, pas përfundimit të kontratave të tyre.

Skuadra e Ruben Amorimit kishte një sërë çështjesh kontraktuale për të zgjidhur në prag të verës, si në ekipin e parë, ashtu edhe në akademi.

Disa nga lojtarët, si Jonny Evans dhe Christian Eriksen, kishin konfirmuar më herët largimet e tyre, me mbrojtësin veteran Evans që ka vendosur gjithashtu të tërhiqet nga futbolli profesionist.

Megjithatë, tashmë janë marrë vendime për të ardhmen edhe të lojtarëve të tjerë në klub.

Victor Lindelof do të largohet gjithashtu nga Manchester United pas përfundimit të kontratës së tij, ashtu si edhe portieri i ri Hubert Graczyk.

Klubi, nga ana tjetër, është në bisedime me portierin e tretë Tom Heaton për një marrëveshje të re që do ta mbajë atë më gjatë në ‘Old Trafford’.

Lojtarët e ekipit të parë dhe të akademisë që janë lënë të lirë nga Manchester United janë:

Victor Lindelof, Jonny Evans, Christian Eriksen, Hubert Graczyk, Jack Kingdom, Sam Murray, Tom Myles, James Nolan, Tom Wooster

Përveç Tom Heaton, edhe sulmuesi i ri i akademisë, Ashton Missin, 18 vjeç, ka marrë një ofertë për rinovim kontrate.

Ndryshe nga Arsenal që publikoi edhe listën e lojtareve të ekipit të femrave, Manchester United nuk e përfshiu listën e skuadrës së femrave në këtë njoftim.

Megjithatë, e ardhmja e katër lojtareve me kontrata që skadojnë ishte vendosur që më parë, përpara përfundimit të sezonit. /Telegrafi/


Shtuar 9.06.2025 17:02