Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025.
Sipas njoftimit zyrtar, 3 prej të arrestuarve, përfshirë një shtetas italian, janë ndaluar me masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa një tjetër është vendosur në “arrest shtëpie”.
Po ashtu, me vendim të Gjykatës së Elbasanit të datës 2 qershor 2025, është vendosur sekuestro preventive mbi 7 subjekte tregtare (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të lidhura me këto biznese.
Hetimet kanë zbuluar se të arrestuarit kanë bashkëpunuar për të çuar qëllimisht në faliment këto subjekte, duke synuar shmangien e taksave dhe detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin Algert Kau, 40-vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian Giuseppe Lamachia 60-vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Zyhra Kreci, 27-vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31-vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.