Statistikat çerekfinales, Zvicër-Spanjë

– Kjo do të jetë ndeshja e parë ndërmjet Zvicrës dhe Spanjës në një Kampionat Evropian. Tri takimet e fundit në turne të mëdha ishin ato të viteve 1966, 1994 dhe 2010 në kuadër të Kupës së Botës. Spanja i fitoi dy të parat, Zvicra triumfoi në të fundit.

– Spanja e ka humbur vetëm një nga 22 ndeshjet kundër Zvicrës në të gjitha garat (16 fitore, 5 barazime). Humbja erdhi në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”.

– Kjo do të jetë paraqitja e katërt e Zvicrës në çerekfinale të një turneu madhor (Kupë e Botës dhe Evropian) dhe e para në Kampionatin Evropian. Zviceranët i kanë humbur tri ndeshjet e fundit në këtë fazë – 3:2 nga Çekosllovakia (1934), 2:0 nga Hungaria (1938) dhe 7:5 nga Austria (1954).

– Spanja u bë ekipi i parë në Kampionat Evropian që shënon 5 gola e më shumë në dy ndeshje rresht. Ata nuk kanë shënuar më shumë se katër gola në asnjërën prej 42 ndeshjeve në këtë garë.

– Zvicra ka shënuar tri gola në secilën prej dy ndeshjeve të fundit të Kampionatit Evropian. Nuk kanë shënuar asnjëherë më shumë se dy gola në 15 ballafaqimet e fundit në këtë garë. Zvicra ka shënuar tri e më shumë gola në tri ndeshje rresht në të gjitha garat që nga tetori i vitit 2017.

– Pasi shënoi me vetëm 8.5% të gjuajtjeve në fazën e grupit (4 gola, 47 gjuajtje), Zvicra i konvertoi 25% të tentimeve në raundin e 1/8 së finales kundër Francës (3 gola, 12 tentime).

– Spanja ka mesatare prej 73.4% të posedimit të topit dhe ka saktësi në pasime 89.5% në “Euro 2020” deri më tani. Këta numra janë më të lartit që janë regjistruar në një edicion të Kampionatit Evropian (prej vitit 1980).

– Alvaro Morata ka pasur më së shumti gjuajtje (15) dhe gjuajtje në kornizën e portës (8) sesa çdo lojtar tjetër spanjoll deri tani në “Euro 2020” dhe është golashënuesi më i mirë i Spanjës në turne me dy gola. Nga dy gola për Spanjën kanë edhe Pablo Sarabia dhe Ferran Torres, por me më pak gjuajtje (13) dhe gjuajtje në kornizën e portës (7) së bashku, në krahasim me Moratan.

– Haris Seferoviqi i Zvicrës ka shënuar tri gola në dy ndeshjet e fundit në Kampionatin Evropian, pasi kishte realizuar vetëm një në 13 ndeshjet e fundit në turne të mëdha. I vetmi futbollist i Zvicrës që ka shënuar në tri paraqitje rresht në një ngjarje të madhe ishte Josef Hugi në Kupën e Botës më 1954.

– Ferran Torres është përfshirë në tetë gola në nëntë paraqitjet e fundit në të gjitha garat për Spanjën (7 gola, 1 asistim). Torres ka shënuar në dy ndeshjet e fundit të Kampionatit Evropian. Asnjë futbollist i Spanjës nuk ka shënuar tri herë rresht në këtë garë.


Shtuar 1.07.2021 12:06