Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen dy persona nga Italia dhe Greqia

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale të ndryshme, janë arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë nga Greqia dhe Italia.

Në Greqi u arrestua një 34-vjeçar me inicialet N. K., alias N. T., ndaj të cilit Gjykata e Matit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet si bashkëautor në kultivimin e bimëve narkotike në një parcelë në zonën e Ulëzës, Dibër, në vitin 2022. Pas ndalimit të tij nga autoritetet greke, u krye me sukses ekstradimi drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, në Milano të Italisë, u kap dhe u ekstradua një 44-vjeçar me inicialet O. J., alias O. Ç., i dënuar nga Gjykata e Fierit me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kapja e tij erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.

Ekstradimet janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për vendosjen para drejtësisë të personave të shpallur në kërkim për vepra penale brenda dhe jashtë vendit.


Shtuar 31.05.2025 16:13