“U përdor dyfishi i parave”/ Berisha: Terrori politik i para këtyre zgjedhjeve nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar ditën e sotme rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në SyriTv, Berisha deklaroi se në këto zgjedhje është përdorur dyfishi i parave, duke falur mbi 200 mln euro gjoba dhe interesa dhe shpërndarje të tjera parash. Berisha shtoi se terrori politik i para këtyre zgjedhjeve nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri.

“Në këto zgjedhje u përdor dyfishi i parave. U dha 100 euro për çdo pensionist për 48% të zgjedhësve. U falën mbi 200 mln euro gjoba dhe interesa. U shpërndanë dhjetëra milionë për tërmetin. U shpërndanë si kurrë ndonjëherë më parë 138 licenca për 27 mijë hektarë tokë për të mbjellë kanabis në të 4-anët e vendit. Kjo do të thotë të mund të shpërblesh dhjetëra-mijëra familje me nga 5-bimë jo më shumë. Se 5 bimë janë 5 mijë euro dhe tani të garantuara nga shteti, tani shkon legalisht dhe i bën shërbimin. 1 mijë euro e ka prodhimin.

Në vitin 2021 nuk u arrestua asnjë nga liderët e opozitës. Në 2025 në vit elektoral u arrestuan apo u ndoqën penalisht 3 liderët, e partive kryesore opozitare. Pra janë dy rrethana krejtësisht të pakrahasueshme dhe PD iu nënshtrua një procesi si asnjë forcë politike. Çfarë do që të bënte PD, çfarë do që të bënte farsën nuk e fiton kurrë opozita. U krijuan tre parti të tjera opozita, dhe që dolën me tezën se ne jemi kundër rotacionit. Nuk janë për rotacionin. Përveç Arlind Qorit i cili ka shpalosur të qartë objektivin e tij, këto të tjerët votat i morën nga opozita, qartësisht. Terrori politik i para këtyre zgjedhjeve nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri në këtë shkallë. Vetë fakti terror politik është shkurajues. Çfarë do që të bënte kjo forcë politike dhe kjo aleancë, farsa nuk mundet. U zvogëlua sepse terrori politik ishte i paprecedentë. U zvogëlua sepse paratë u përdorën publikisht.

Ne mund të kemi, 10-30-100 dobësi dhe të meta dhe ato do të analizohen. Pse u përkeqësua rezultati? Sepse kushtet e farsës u përkeqësuan në mënyrë dramatike. Kjo është e vërteta. E kanë shprehur dhe vëzhguesit që zgjedhësit kishin frikë të dilnin të votonin”, tha Berisha.


Shtuar 26.05.2025 22:39