Si një “telenovelë intrigash”, sa shumë sherre mes lojtarëve të Francës

Si mundi Franca që ishte favorite absolute e këtij Europiani që të eliminohej nga Zvicra? Pa i hequr vlerën helvetëve për suksesin e arritur duhet të theksojmë se ambienti në krahun e francezëve nuk ka qenë aspak i qetë dhe bashkëpunues.

Për trajnerin Deshamp ishte e pamundur që të menaxhonte një grup futbollistësh që grindeshin me njëri-tjetrin për t’i lënë përgjegjësinë e fajit: “Ti gabove”. Nëse trajneri i Francës arriti të sheshonte disi gjakrat e ndezur për përplasjen Giroud-Mbappe përpara Europianit, me sulmuesin e Chelsea-t që ankohej për mungesë të pasimit, në ndeshjen kundër Zvicrës ka ndodhur gjithçka.

Trajnerit i është dashur shumë herë që të ndërhyjë për të evituar skena më të papranueshme nga sherri i lojtarëve. Fillimisht ishte Adrien Rabiot që u nervozua me Pogba dhe nuk mund ta pranonte kurrsesi gabimin e bërë nga mesfushori i Man Utd, që solli edhe golin e tretë të Zvicrës. Më pas ishte Pogba që u nervozua me Coman në fillimin e shtesë së parë. Coman ishte i dëmtuar dhe vendosi vetë që të vazhdonte lojën, megjithëse mjekët i sygjeruan të dilte jashtë.

Pogba ishte tërësisht i nevrikosur me shokun e tij të skuadrës pasi nuk mund të jepte maksimumin dhe po e dëmtonte skuadrën. Sërish ishte Deshamp që qetësoi gjendjen duke e ndërruar vetë Coman nga fusha e lojës. Për ta bërë edhe më keq gjendjen menduan familjarët e lojtarëve teksa mamaja e Rabiot pati një konflikt verbal me vellëzërit e Pogba dhe babain e Mbape, me këtë të fundit që e fajësohej për gjithçka.

Si një telenovelë ku thuren intriga, por nuk mbyllet me kaq. Varane ishte i pakënaqur me mënyrën sesi Pavard po luante në mbrojtje dhe ia tha hapur për të rregulluar problemin. Nga ana tjetër ishte Pavard që nuk ishte i kënaqur me fjalët e thëna nga Varane dhe kishin një debat verbal. Pa harruar gjithashtu që te gabimi i Pogba që solli golin e tretë për Zvicrën nuk ishte vetëm Rabiot që kritikoi mesfushorin e Man Utd, por edhe Varane me Pavard. Atëherë, si mund të fitonte Franca?


Shtuar 30.06.2021 15:25