Edhe pse autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar, mediat e pavarura raportojnë se Darya Shipilova, një teknike 28 vjeçare, dyshohet se ka humbur jetën nga murtaja pneumonike pasi mund të ketë thyer aksidentalisht një epruvetë me bakterin Yersinia Pestis gjatë punës në laborator.
Të lidhura
None found
Pas ngjarjes, më shumë se 60 punonjës të Institutit Kërkimor kundër Murtajës në Irkutsk janë izoluar brenda kompleksit. Ndërkohë, rreth 200 persona që mund të kenë qenë në kontakt me teknikën janë vendosur nën mbikëqyrje mjekësore ose në izolim.
Deri në këtë fazë, nuk është bërë publike asnjë provë e konfirmuar që infeksioni të jetë përhapur te banorët e zonës. Brendan Ëren, profesor i patogjenezës mikrobike në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, shpjegon se kjo formë shumë e rrezikshme e murtajës përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes.
Sëmundja mund të zhvillohet me ritme të shpejta dhe të jetë fatale nëse trajtimi me antibiotikë nuk nis në kohë. Eksperti ka vënë në dukje gjithashtu se janë raportuar shtame të bakterit që shfaqin rezistencë ndaj disa antibiotikëve.
Murtaja mbetet një sëmundje e rrallë, megjithatë në rang global raportohen rreth 1,000 raste çdo vit, kryesisht në territore ku ajo është endemike. Yersinia pestis studiohet në laboratorë të specializuar edhe për të ndihmuar në zhvillimin e vaksinave dhe terapive më efektive.
Sipas vlerësimit të ekspertit, situata në Irkutsk nuk përbën aktualisht një rrezik të madh për publikun e gjerë dhe nuk ka të dhëna që tregojnë për shndërrimin e saj në një shpërthim epidemik. Pavarësisht kësaj, rasti ka shtuar shqetësimin e autoriteteve shëndetësore në vende të ndryshme të botës.







