Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e marrë nga qeveria Rama këtë të premte për faljen e gjobave dhe masave administrative të vendosura ndaj qytetarëve përgjatë 10-vjeçarit të fundit.
Përmes një reagimi zyrtar selia blu dënon këtë vendim të Këshillit Ministrave duke theksuar se është në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe barazisë në garë, që në ditët e fundit të fushatës, të firmoset një amnisti e gjerë, duke shkelur kështu arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.
Sipas demokratëve kjo “skemë” është e përdorur edhe më herët nga kryeministri Rama i cili në mës të fushatës u dha bonus 670 mijë pensionistëve, por para këtij vendimi aso kohe KQZ sipas PD-së “mbylli sytë”.
“Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Partisë Demokratike, të cilët theksojnë se me këtë veprim Rama shpërfilli hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.
Reagimi i plotë i PD-së:
Në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.
I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm. Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë.
Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme.
Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?!
Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?
Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.
Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje.
Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.
Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.