Komiku dhe aktori i njohur amerikan Pete Davidson ka zbuluar se ka nisur një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për të hequr më shumë se 200 tatuazhe nga trupi i tij.
Në një intervistë të re për Variety, ai tregoi se kur e nisi këtë rrugëtim dhe sa kohë do t’i duhet për ta përfunduar.
“Nisa gjatë pandemisë, në vitin 2020. Më duhen edhe rreth 10 vite të tjera. Duart janë pothuajse gati, ndërsa në qafë dhe në pëllëmbë kam edhe pak punë”, tha ai.
Pete shpjegoi gjithashtu se ende i kanë mbetur tatuazhet në pjesën e shpinës dhe të torzos për t’i hequr, duke e përshkruar procedurën me lazer si jashtëzakonisht të dhimbshme: “Është si të vendosësh dorën mbi një skarë të ndezur dhe të djegësh një shtresë të lëkurës. Pastaj duhet ta trajtosh dhe ta lësh të shërohet në mënyrë natyrale. Nuk është e lehtë, nuk do të gënjej”.
Aktori u shfaq me një pamje më të “pastruar” në një fushatë të markës Reformation, ndërsa në emisionin “The Tonight Show” me Jimmy Fallon pranoi se do të mbajë vetëm dy ose tre tatuazhe, sepse procesi i heqjes është “më i vështirë se vetë tatuazhet”.
“Të djegin një shtresë të lëkurës, dhe pastaj duhet të presësh nga gjashtë deri në tetë javë për të shëruar. Nuk duhet të ekspozohesh fare në diell. Dhe këtë duhet ta bësh edhe 12 herë të tjera.”
Ai këshilloi publikun që të mendojnë mirë përpara se të bëjnë një tatuazh, duke shtuar me humor: “Mendohuni dy herë për atë tatuazhin e Game of Thrones që po e planifikoni!
Sa i përket arsyes pse kishte bërë kaq shumë tatuazhe, ai u shpreh me sinqeritet: “Isha një djalë i trishtuar… Ishte e çuditshme. Nuk e di. Pesë vite më parë të gjithë po bënin tatuazhe.”
Pete zbuloi gjithashtu se vendimin për t’i hequr tatuazhet e mori pasi ndaloi së piri alkool, duke shtuar: “Nuk e njihja më veten kur shikoja në pasqyrë.”
Sipas mediave ndërkombëtare, Davidson ka shpenzuar më shumë se 190 mijë euro për këtë proces të gjatë dhe të kushtueshëm të heqjes së tatuazheve.