Kumbulla në një tjetër udhëkryq merkatoje këtë verë, ja cila është dëshira e mbrojtësit kuqezi!

Ndërsa sezoni po i afrohet fundit, mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla, ka folur për të ardhmen e tij në një intervistë për ‘Corriere dello Sport’, duke lënë të hapur çdo skenar për vazhdimësinë e tij pasi huazimit tek Espanyoli është drejt përfundimit. “A do të kthehem te Roma? Nuk e di. Sinqerisht, nuk kam asnjë ide,” tha Kumbulla. “Jam këtu në huazim deri në fund të sezonit, më pëlqen këtu, por pastaj janë dy klubet që do të vendosin.”

Pavarësisht së ardhmes së paqartë, qendërmbrojtësi kuqezi nuk harroi të shprehet pozitivisht për klubin që zotëron kartonin e tij: “Roma? Dua të sqaroj se jam shumë i lumtur për mënyrën se si skuadra dhe shokët e mi kanë gjetur qetësinë dhe rezultatet me trajnerin Ranieri.”

Megjithatë, Kumbulla e ka mendjen të përqendruar plotësisht tek Espanyoli dhe objektivat e tanishëm: “Prioriteti im tani është Espanyoli: të qëndrojmë në La Liga dhe të qëndrojmë të bashkuar me tifozët është e vetmja gjë që kam në mendje. Largimi nga Roma ishte i nevojshëm për të gjetur veten. Nuk dua të tingëlloj mendjemadh, por disi e prisja që do të bëja mirë.”

Fjalë që reflektojnë pjekuri dhe vetëdije nga një lojtar që ka kaluar periudha të vështira, por që tani duket i rilindur në Spanjë. Të ardhmes i mbetet të zbulojë nëse rrugëtimi i tij do të vazhdojë në Romë apo në një destinacion të ri.


Shtuar 18.04.2025 18:01