Zebërvoki reagon sërish pas debatit për ndasinë mes shqiptarëve: Në Kosovë do të vij sa herë të ma dojë shpirti

Pas zhurmës së krijuar në rrjet lidhur me incidentin mes Jozit dhe Gjestit në Big Brother VIP Albania, ku disa ndjekës nisën të komentojnë me tone ndasie mes Kosovës dhe Shqipërisë, Zebërvoki ka reaguar sërish përmes një videoje në Instagram.

Ai sqaroi se nuk kishte asnjë qëllim të nxisë ndarje mes shqiptarëve, dhe theksoi lidhjen e fortë që ndien me Kosovën dhe shqiptarët atje.

Në reagimin e tij, Zebërvoki tha:
Në lidhje me ardhjen time në Kosovë jam shprehur shumë qartë dhe po shprehem dhe tani e po ju them që në Kosovë do të vij sa herë të më dojë shpirti dhe zemra, sepse e kam dhe e konsideroj vendin tim dhe kam shqiptarët e mi atje. Siç vizitoj qytete të ndryshme: Fierin, Lushnje, Shkodër, Sarandë, Durrës, Vlorë e të tjerë, vizitoj edhe Prishtinën dhe Prizrenin, e çdo qytet të mundshëm të Kosovës, sepse përveç faktit që dalin pesë apo dhjetë individë, injorantë që dalin dhe kërcënojnë, më thonë që ti nuk je i mirëpritur në Kosovë — në Kosovë kam shumë miq të mirë edhe mos paça miq, kam shqiptarët e mi dhe kam vendin tim dhe do të vij të rri si në shtëpinë time, pa m’u dridh qerpiku i syrit fare. Se s’kam dalë ndonjëherë t’i shaj kosovarët, bile kam qenë ndër të parët që në filmat e mi kam përcjellë harmoninë dhe Shqipërinë e bashkuar dhe shqiptarët e bashkuar. Do t’jua tregoj edhe videon pas pak dhe thoni ç’të doni, se në Kosovë do të vij sa herë të më dojë qejfi.

Ndërkohë, në një live të mëparshëm në Instagram, Zebërvoki kishte kërkuar që ndjekësit të mos e përshkallëzojnë incidentin dhe të mos e përdorin për të ndarë shqiptarët.

Incidenti mes Gjestit dhe Jozit u bë viral në rrjete sociale, duke nxitur një valë komentesh, mes tyre edhe reagime me gjuhë urrejtjeje.


Shtuar 15.04.2025 12:47