Vendimi i Apelit, reagon Këlliçi: Sot është një ditë çlirimi dhe frymëmarrje, hajduti i pashembullt Erion Veliaj mbeti në burg

Këtë të enjte, përmes një reagimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, demokrati Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me vendimin e Apelit të GJKKO,  “Arrest me burg” për Erion Veliajn, shprehet se kjo është një ditë çlirimi dhe frymëmarrjeje nga hajduti pashembullt Erion Veliaj, i cili do të qëndrojë në burg deri në mbylljen e plotë të hetimit dhe procesit gjyqësor të ngritur ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Reagimi i Këlliçit:

Sot kreu i 5D dhe pronari faktik i inceneratorit Tiranë, Erion Veliaj mbeti në burg!

Sot është një ditë tjetër çlirimi dhe frymëmarrje nga ky hajdut i pashembullt për kryeqytetin tonë dhe më gjerë.

Sot është një ditë tjetër kur banorët e Astirit, të zonës së Kombinatit, banorët e 5 Majit, ata të Myslym Ketës, protestuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të gjithë qytetarët e thjeshtë që kanë rënë pre e dhunës institucionale të tij dhe shpurës së tij, marrin frymë lirisht dhe ndjejnë shpagim për padrejtësitë e pësuara.

Sot familja e të ndjerit Ardit Gjoklaj ndjehet e lehtësuar gjithashtu!

Unë jam këtu për t’ju thënë se nesër, për Shqipërinë, do të vijë një ditë e re.

Të gjithë kandidatët e PS që guxojnë të shkelin ligjin dhe të tjetërsojnë votën, të gjithë zyrtarët që abuzojnë me pushtetin e firmës, ata që blejnë vota e shtrojnë asfalt elektoral, ata zyrtarë që keqpërdorin si pronë private administratën publike, do të bashkëndajnë me Veliajn fatin e përbashkët.

Ashtu si zyrtarët e korruptuar tashmë pas hekurave, do ju bashkohen shokëve të qelisë.

Ky është angazhimi im dhe i Partisë Demokratike, për një Shqipëri më në fund të lirë nga një kastë mafioze.

Bashkë do ia dalim!

 


Shtuar 13.03.2025 13:40