Enrique: Me kërcënimet ndaj Moratës merret policia, duam çerekfinalet

Pas dy ndeshjeve zhgënjyese, Spanja shpërtheu ndaj Sllovakisë, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 dhe siguruar kalimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me Kroacinë në “Parken Stadium” të Kopenhagenit.

Trajneri Luis Enrique doli në konferencën e zakonshme për shtyp dhe foli me superlativa për kundërshtarët, duke vlerësuar kualitetin e tyre në mesfushë, por theksoi se te “furia roja” janë të gjithë në formë dhe gati për të bërë më të mirën.

“Do të na pëlqente të luanim sërish në Spanjë, por tani jemi këtu dhe jemi gati të bëjmë më të mirën. I kam të gjithë në dispozicion dhe gati për të bërë maksimumin, pasi duam kalimin në çerekfinale. Kroacia është një kundërshtar i vështirë dhe ka shumë cilësi, sidomos në mesin e fushës me lojtarë si Modric e Kovacic, megjithatë kam besim që do t’ia dalim të vazhdojmë rrugëtimin tonë”, tha tekniku spanjoll.

Sulmuesi Alvaro Morata zbuloi para pak ditësh se ka marrë kërcënime dhe mallkime nga më të rëndat nga tifozët në rrjetet sociale, ndërsa trajneri spanjoll tha se me këtë çështje duhet të merren autoritetet policore.

“Gjëra të tilla si kërcënimi apo urimi i vdekjes janë shumë të rënda dhe mendoj se duhet të trajtohen nga autoritetet policore, për të marrë ndëshkimin e duhur. Moratën e kam parë të qetë dhe gati për të bërë maksimumin në fushë”, u shpreh Luis Enrique.


Shtuar 28.06.2021 08:45