Marrëveshja SHBA-Ukrainë për mineralet pritet të nënshkruhet këtë javë

Presidenti Donald Trump thotë se do të presë të premten në Shtëpinë e Bardhë Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy, për të nënshkruar një marrëveshje që u siguron Shteteve të Bashkuara qasje tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, udhëheqësi ukrainas thotë se disa çështje ende mbeten të pazgjidhura.

Marrëveshja do t’u jepte Shteteve të Bashkuara të drejta thelbësore për shfrytëzimin e mineraleve të rralla të nëntokës ukrainase dhe do të kompensonte Uashingtonin për armët e dërguara Kievit për luftën trevjeçare kundër agresionit të Moskës.

“Do të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme për mineralet dhe çështje të tjera”, tha Presidenti Trump.

Por udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, vuri në dukje një pikë thelbësore që nuk është përfshirë në këtë marrëveshje, garancinë konkrete për sigurinë e Ukrainës. Më parë, Presidenti amerikan hodhi poshtë një aspiratë thelbësore të Ukrainës, anëtarësimin në NATO.

“Në këtë marrëveshje flitet vetëm në përgjithësi për garancitë e sigurisë. Por mendoj se nuk është veçanërisht për këto garanci. Hapat e ardhshëm duhet të jenë për të. Pa garanci sigurie për të ardhmen, nuk do të kemi paqe dhe armëpushim të vërtetë. Nëse nuk e kemi këtë, asgjë nuk do të funksionojë. Nuk do të kemi asgjë”, tha zoti Zelenskyy.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Olena Prokopenko me Fondin Gjerman Marshall, thotë se marrëveshja për mineralet ishte pjesë e formulës origjinale të Presidentit Zelenskyy për paqen.

“Është e vështirë për qeverinë ukrainase që t’i kthehet plotësisht ofertës. Fatkeqësisht, projektpropozimi që iu ofrua Ukrainës në përgjigje të këtij propozimi ishte tejet zhgënjyes dhe i njëanshëm. Por tani që marrëveshja duket të jetë shumë më e balancuar, qeveria ukrainase është gati ta nënshkruajë”.

Zonja Prokopenko, që është ish-këshilltare e Ministrit të Financave të Ukrainës, thotë se pret disa përmirësime para nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ka disa përparime sa i përket garancive si një faktor, por do të duhet të jetë shumë më i detajuar në marrëveshjen përfundimtare, sepse për momentin, në thelb nuk ka një lidhje specifike mes sigurisë dhe investimeve. Aktualisht, duket si një marrëveshje investimi dhe jo si një marrëveshje sigurie”.

Detaje të tjera pritet të finalizohen përpara përfundimit të luftës brutale në Ukrainë. Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Moska është zotuar se nuk do të kthejë asnjë pjesë në atë që do të ishte një marrëveshje paqeje./VOA


Shtuar 27.02.2025 16:55

Tags: ,