Pjetër Gocaj, babai i dy djemve të vrarë pas mesnate në Velipojë, Xhovanit, 25 vjeç dhe Edmondit, 38 vjeç, ka folur pak orë pas ngjarjes së rëndë me 4 viktima e 2 të plagosur.
Ai thotë se sherri ka ndodhur për shezlonët dhe se djali i madh me dokumente angleze kishte ardhur për të investuar në Velipojë.
“Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt, mua më është fikur dera e shtëpisë. Uroj që mos t’i ndodhë askujt. Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di që për shezllone. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, më kanë vrarë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta më. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezllonët, këtë vit ia kanë dhënë atij.
Ne kemi pritur që të ndahen shezllonet sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi. Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë. Më kanë vrarë djemtë. Ne i kemi vendosur shezllonet përpara se të bëhej ndarja nga shteti e shezlloneve dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata”, rrëfen Pjetri.
Babai tregon se i kanë vrarë fillimisht djalin e madh, menjëherë dhe më pas ka qëlluar dhe djali tjetër. Pjetri thotë se nuk e ka pritur këtë ngjarje, pasi i ka pasur shok palën tjetër, pra familjen Ferracaku, shkruan BW.
“Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin që ishte me dokumente angleze i cili ka ardhur për të investuar dhe punuar. Djersa e tij është (qan). Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu, por nuk kanë ardhur për të folur përderisa kanë ardhur me armë tek dera e shtëpisë. Uroj mos t’i ndodhë më askujt”, deklaron ai.