Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i ka kërkuar shumicës socialiste të mos e çojë për votim projektin për reformën administrativo-territoriale, i cili pritet të shqyrtohet nesër në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, Dashamir Shehi dhe Ekrem Spahiu kanë theksuar se ndryshimi i hartës territoriale duhet të miratohet vetëm pas arritjes së një dakordësie të gjerë mes forcave politike.
Sipas përfaqësuesve të LZHK-së, riorganizimi territorial nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës, por të përfshijë edhe rishikimin e numrit të bashkive, rikthimin e komunave dhe reduktimin e qarqeve. Ata kërkojnë që këto ndryshime të mbështeten në standardet europiane, duke marrë njëkohësisht parasysh veçoritë e Shqipërisë.
Të lidhura
None found
Shehi dhe Spahiu kanë bërë publike edhe qëndrimet e LZHK-së për reformën zgjedhore. Ndër propozimet e tyre është zgjedhja e kryetarëve të bashkive përmes një sistemi me dy raunde, në rast se në raundin e parë asnjë kandidat nuk siguron 50% plus një votë.
Platforma parashikon gjithashtu që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme vetëm nëse pjesëmarrja arrin në 50% plus një votë, si dhe që procesi të zhvillohet përmes votimit dhe numërimit elektronik.
LZHK bën me dije se këto propozime janë përfshirë tashmë në platformën e opozitës dhe do të paraqiten në Kuvend. Sipas kësaj force politike, reforma territoriale dhe ajo zgjedhore duhet të ndërtohen si zgjidhje afatgjata, jo si nisma të diktuara nga interesat e një mandati qeverisës.
Duke iu referuar nenit 81, pika 2 të Kushtetutës, LZHK kujton se ligjet për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Për këtë arsye, sipas saj, arritja e konsensusit politik është e domosdoshme.
Shehi dhe Spahiu i kanë bërë thirrje shumicës së PS-së që ta tërheqë projektin dhe të mos ndjekë, siç shprehen ata, të njëjtën qasje të përdorur në vitin 2014, kur ndarja administrative u miratua nga mazhoranca e asaj kohe pa një marrëveshje të gjerë politike.
Projektligji aktual për reformën administrativo-territoriale parashikon që numri i bashkive të ulet nga 61 në 46. Votimi i tij në Kuvend është planifikuar të zhvillohet më 8 tetor.
Në deklaratën e saj, LZHK ka komentuar edhe zhvillimet në Kosovë. Dy bashkëkryetarët kanë përshëndetur zgjedhjen e akademikes Justina Shiroka-Pula në postin e Presidentes së re të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar këtë si një zhvillim që ndihmon stabilitetin institucional të vendit.
Gjithashtu, LZHK ka shprehur vlerësim për projektligjin që lidhet me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Qëndrimin e saj për këtë çështje ajo e lidh me interesin kombëtar dhe ruajtjen e stabilitetit institucional në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.







