GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Gjatë seancës, avokatët e Veliajt kërkuan liri me kusht, në këmbim, të një garancie pasurore. Ndërsa për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, u zbut masa në detyrim paraqitje.
Në seancë, Veliaj ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat, duke pretenduar se vetëm ka bërë detyrën. Po ashtu ai deklaroi se nuk i është shpjeguar se pse u arrestua, madje sipas tij “i ka hyrë në hak familjes që ka punuar edhe në fundjavë.”
“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar.
Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes,” tha Veliaj në gjykatë.
Seanca ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj nisi në orët e para të mëngjesit, por edhe pse me ndërprerje zgjati gjatë mbi 7 orë. Gjithashtu e pranishme në seancë ishte dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa e akuzuar për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim me Veliajn.
Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin dhe 4 biznesmenët e tjerë të përfshirë në dosjen hetimore Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, për të cilët mbeti në fuqi masa “detyrim paraqitje”.
I pranishëm ishte dhe biznesmeni Elman Abule i arrestuar dy ditë më parë si i përfshirë në dosjen hetimore te Veliajt, teksa as masa ndaj tij “arrest me burg” nuk ndryshoi.
Nuk munguan as debatet e shumta. Ka qenë kryebashkiaku ai i cili i iu drejtua me tone të ashpra prokurorit Olsi Dado duke i kujtuar se është në konflikt interesi pasi i ka dhënë një leje ndërtimi. Burime për mediat bëjnë me dije se kryetari i Bashkisë së Tiranës “shpërethu” ndaj prokurorit të Posaçëm Ols Dados, me kërkesën e të cilit sot Veliaj ndodhet pas hekurave.
Kryebashkiaku thuhet se i ka përmendur Dados “të mirat” që ia ka bërë duke i dhënë lejë ndërtimi, ndonëse aso kohe prokurori sipas kryetarit nuk i ka vlerësuar dhe “s’ka mbetur i kënaqur”.
Erion Veliaj akuzohet për konsumimin e 4 veprave penale, korrupsion aktiv e pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa mbi Ajola Xoxën rëndojnë akuzat e korrupsionit, pashtrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Mbi biznesmenin Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 4 biznesmenët e tjerë ajo e korrupsionit aktiv.
Sakaq, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar duke kërkuar lirimin e Veliajt, jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.