Ditën e sotme, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, ku ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Remzija, dhe dy vajzat, Doruntina dhe Diellza.
Pas dhënies së votës, Hamza ka shprehur optimizëm për procesin zgjedhor dhe ka apeluar që të gjithë qytetarët e Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të kontribuar në zgjedhjen e qeverisë që do të udhëheqë vendin, për katër vitet e ardhshme.
“I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë, të drejtën e tyre demokratike për me votu, për me zgjedhje qeverinë për katër vitet e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj që gjithçka të shkoj mirë. Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë, për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët është i pranueshëm. Jam optimist, ka qenë një fushatë mirëpo gjatë gjithë kohës e kam ruajtur energjinë pozitive, pozitivitetin. Juve ju uroj ditë të mbarë”, është shprehur Hamza.
Thirrje për të dalë në votime, kanë bërë edhe kandidatë tjerë për kryeministër.
Përveç Hamzës, në garë për këtë post janë edhe Albin Kurti, kryeministër aktual, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.